Vdekja e Armando Palit dhe Liridon Kraja (Lushi), në atentatin që tronditi Shkodrën mëngjesin e 8 shtatorit 2025, tashmë do të hetohet nga SPAK. Në këtë atentat mbetën edhe 2 të plagosur Eorgen Brajoviç dhe kamarierja Meri Kaceri.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se hetuesit e Prokurorisë së Posaçme kanë nisur tërheqjen e dosjes dhe pritet që brenda pak ditësh të marrin në pyetje autorin e dyshuar të masakrës, Ragip Gila.
Gila ka deklaruar se atentatin e kreu pas një përplasjeje të mëparshme me Erogen Brajoviç. Megjithatë, dyshimet e hetuesve në Spak janë se atentati ka qenë i porositur dhe Gila ka vepruar si ekzekutor me pagesë.
Në listën e personave që SPAK do të marrë në pyetje këto ditë për të hedhur dritë mbi përplasjet mes grupeve kriminale në Shkodër është edhe Denis Brajoviç (i njohur edhe si Denis Bajri Brajoviç). Ai u ekstradua nga Dubai disa muaj më parë dhe ndodhet në paraburgim për llogari të dosjes “Metamorfoza”, që është në hetim nga SPAK.
Denis Brajoviç është vëllai i Erogen Brajoviç, i cili mbeti i plagosur gjatë atentatit të 8 shtatorit.
SPAK ka sekuestruar disa prova të rëndësishme, përfshirë pamje filmike nga kamerat e sigurisë, skema të vendngjarjes dhe ekspertiza balistike të armëve të përdorura.