Sipas “Weblajm.com”, pengmarrja dhe kërkesa për gjobë prej 10 mijë eurosh ndaj E. Haxhiut ishin planifikuar me detaje deri tek lidhja intime me dy vajza.
Fillimisht, ai kishte një lidhje intime me 21-vjeçaren e shpallur në kërkim, S. C. Teksa ndodhej në raport intim me të, në celularin e vajzës mbërriti një mesazh nga Lusjan Kizma, i cili i kërkonte asaj ta linte Haxhiun dhe që të dy së bashku t’i bënin atij një “gol” (skemë mashtrimi).
Pasi kjo skemë nuk u realizua, katër ditë më vonë, një ftesë për të kaluar një natë joshëse, mbërritur në “Instagram”-in e Haxhiut, e bindi menaxherin e restorantit të takohej me shtetasen M. M. për një raport intim.
Vajza e ftoi atë të shkonin në një apartament me qira ditore, të marrë përmes “Airbnb”-së, pranë Liqenit Artificial.
Sapo ata hynë në banesë, Haxhiu rrëfen se nga tualeti dolën dy persona të armatosur me sopatë dhe dru. Ai pohon se është dhunuar fizikisht dhe aty ka njohur Lusjan Kizmën.
Për lirimin e tij, autorët kërkuan 10 mijë euro. Menaxheri ka paguar gjysmën e shumës, duke u lejuar për disa minuta të shkonte në shtëpi dhe më pas është rikthyer në apartamentin e “joshjes seksuale”.
Megjithatë, pagesa prej 5000 eurosh nuk e ka kënaqur Kizmën dhe bashkëpunëtorin e tij, të cilët e kanë kërcënuar sërish me mesazhe për pjesën tjetër të shumës.
Aktualisht, Policia ka shpallur në kërkim vajzën nga Vlora, 23 vjeç, si dhe shtetasit M. M., 21 vjeçe, dhe K. N., 23 vjeç, ndërsa dy persona të tjerë janë arrestuar.
Operacioni “Kufizimi”
DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, finalizoi operacionin e koduar “Kufizimi”.
Ata i hoqën lirinë për disa orë një 27-vjeçari dhe e dhunuan fizikisht, me qëllim që t’u jepte 5000 euro. Si rezultat, u identifikuan pesë shtetas të përfshirë në ngjarje. U arrestuan dy prej tyre, ndërsa tre të tjerë u shpallën në kërkim.
Në pranga ranë shtetasit L. K., 24 vjeç dhe A. N., 24 vjeç. Në kërkim u shpallën K. N. (23 vjeç), M. M. (21 vjeçe) dhe S. C. (25 vjeçe).
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. K., 60 vjeç (babai i L. K.), u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në dhomën ku qëndronte L. K. u gjetën 5000 euro, që dyshohet se janë shuma e marrë nga viktima, si dhe 6 celularë dhe një automjet.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
















































































































