Ish-Kryepolici në SPAK për 20 transferime në AMP. Lëvizja e 20 oficerëve të mbikëqyrjes policore nga vendet e punës rezulton se është arsye e paraqitjes së Muhamet Rrumbullakut në SPAK.
Ky hetim po ndiqet nga prokurorja Dolorez Musabelliu, një nga katër kandidatet për kreun e SPAK.
Me një pamje të transformuar dhe mjekër të bardhë, ish-Kryepolici Rrumbullaku u paraqit në Prokurori duke qëndruar për disa minuta.


Ai është kallëzuar nga vartësit e tij për lëvizje të padrejta në punë.
Hetimi fillimisht ka nisur në prokurorinë e Beratit, por për shkak të funksionit të Rrumbullakut si zyrtar i lartë, dosja kaloi në SPAK.
Në të njëjtin procedim ka qenë edhe ish-kreu i AMP-së, Florian Sulajmani, dosjen e të cilit e ndoqi vetë prokuroria e Beratit për disa javë deri sa u transferua në Tiranë.
Sot Sulejmani është këshilltar ligjor në prokurorinë e posaçme, ndërsa procedimin penal ndaj tij e pushoi prokuroria e Tiranës. Nga kreu i AMP-së ai u largua me dorëheqje.
Ndërsa z. Rrumbullaku, sipas ligjit për Policinë e Shtetit, nuk mund të rikthehet më në polici, pasi ka mbajtur postin më të lartë, atë të drejtorit të përgjithshëm.




































































































