Pas akuzave të ish-ministrit të Drejtësisë, avokatit z. Ylli Manjani, se SPAK po përgjjon në shkelje të ligjit anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ka ardhur edhe reagimi i SPAK. Në përgjigje të interesit të mediave për një koment mbi këto akuza, SPAK thotë se nuk ka asnjë hetim ndaj KLP-së apo ndonjë anëtari të saj, dhe po ashtu as përgjim apo vëzhgim ndaj tyre.
Deklarata e SPAK:
“Në përgjigje të disa kërkesave tuaja, ju bëjmë me dije se:
- Asnjë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk është objekt hetimi, vëzhgimi apo përgjimi nga Prokuroria e Posaçme.
- SPAK nuk kryen dhe nuk ka kryer asnjë veprim hetimor që synon, drejtpërdrejt apo tërthorazi, të ndikojë apo të intimidojë vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe aq më pak të ndërhyjë në procese të caktuara zgjedhore.
Deklarimet e bëra në media përbëjnë spekulim të pastër, të pambështetur në realitetin ligjor apo në praktikën hetimore të Prokurorisë së Posaçme. Çdo deklaratë e pabazuar në fakte dhe e mbështetur në spekulime mbetet në kuadrin e retorikës së pakonfirmuar, në përpjekje për të keqinformuar publikun dhe për të dëmtuar Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.”















































































































