Gjatë vizitës në qytet, Kryeministri Edi Rama shpërndau detyra të reja për drejtuesit lokalë, duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së problemeve qytetare dhe adresimit të çështjeve urgjente. Zamira Sina, Evis Allushi dhe Briseida Çakerri do të ndjekin procesin e ristrukturimit të drejtorive që varen nga Bashkia e Vlorës.
Ndryshimet vijnë në një moment të ndjeshëm për qytetin, mes pakënaqësive në rritje për funksionimin e administratës vendore. Ende nuk janë bërë publike emrat e zëvendësuesve të drejtorëve aktualë, por priten zhvillime të mëtejshme.
Pas takimeve, Rama u pa në lagjen “Muradie” së bashku me Arbjan Maznikun, Pirro Vengun dhe Sinan Idrizin, ku qëndruan për rreth 30 minuta në një lokal para se të largoheshin nga qyteti. Teksa është çelur sezoni turistik në Vlorë, Kryeqyteti i Turizmit po përballet me disa probleme, si mungesa e ujit dhe e shërbimeve për qytetarët. Sipas Ramës, kjo është përgjegjësi direkte e pushtetit lokal, dhe ai ka kërkuar që zyrtarët lokalë të mbajnë përgjegjësi.
Klevis Kaso, i njohur për angazhimin e tij në Partinë Socialiste dhe strukturat rinore, mori sot drejtimin e partisë në Vlorë, ku garoi për zgjedhjet e 11 majit 2025. Ky është një mesazh i qartë nga Kryeministri Rama, si kryetar i PS-së, se gjenerata e re do të marrë drejtimin e partisë.
