SPAK ka lëshuar 13 urdhër-arreste në kuadër të një hetimi për trafik ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës dhe Shqipërisë. Mes personave të përfshirë në këtë çështje ndodhet edhe ish-zyrtari i policisë, Erjon Dani, i cili rezulton se është arratisur nga Shqipëria.
Hetimet janë zhvilluar pas zbërthimit të komunikimeve sekrete në aplikacionin “Sky”, të cilat kanë çuar në identifikimin e të dyshuarve dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale.
Në total janë dokumentuar 11 episode të trafikut të drogës, ndërsa mes të dyshuarve ka edhe persona të përfshirë në ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë. Burime bëjnë me dije se në disa raste është trafikuar sasi që varion nga 850 deri në 1000 kilogramë drogë.
Operacioni ka nisur në orën 5 të mëngjesit, ndërsa ish-zyrtari i policisë Erjon Dani është shpallur në kërkim. Urdhrat e arrestit janë firmosur nga prokurori Adnan Xholi.
