Krijimi i një apeli u pa si zgjidhje, por realiteti, edhe pas hartës së re gjyqësore dhe efekteve të reformës në drejtësi, ka bërë që Gjykata e Apelit Administrative të ketë fatin e Gjykatës së Lartë: e mbytur nga dosjet në arkiv dhe ende të pashqyrtuara.
Nga të dhënat e siguruara nga WebLaj.com, vetëm për periudhën janar–prill 2025 në këtë gjykatë janë shtuar 1 377 dosje, ndërsa janë gjykuar për të njëjtën kohë vetëm 946 dosje. Afro 30% e dosjeve janë arkivuar, pra nuk kanë mundur të shqyrtohen, gjykohen apo të kenë një vendim për to.
Sistemi i drejtësisë vijon të përballet me ngarkesë të lartë çështjesh, ku Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë, e vetmja gjykatë e këtij niveli në vend, ka aktualisht mbi 24 mijë dosje në pritje për gjykim.

Të dhënat zyrtare të përditësuara deri më 30 prill 2025, rezulton se 23 862 çështje administrative janë të mbartura nga vitet pararendëse, ndërsa gjatë periudhës 1 janar – 30 prill 2025 janë regjistruar edhe 1 377 çështje të reja.
Në të njëjtën periudhë, gjykata ka arritur të shqyrtojë vetëm 946 dosje, një shifër që mbetet dukshëm më e ulët krahasuar me fluksin e ri të çështjeve që i shtohen çdo muaj.
Kjo situatë ngre shqetësime mbi ecurinë e procesit të gjykimit administrativ në vend, pasi Gjykata Administrative e Apelit Tiranë është institucioni i vetëm që trajton çështjet e kësaj natyre në nivel apeli, duke bërë që ngarkesa e punës të jetë shumë e lartë.
Ekspertët e drejtësisë theksojnë se vonesat e tilla ndikojnë drejtpërdrejt në aksesin e qytetarëve dhe bizneseve ndaj një procesi të shpejtë dhe efikas, duke e bërë të domosdoshme gjetjen e zgjidhjeve për të reduktuar stokun e dosjeve të mbetura pezull.