Prokuroria e Tiranës sekuestron 18 pasuri të biznesmenit Kristian Koni, i arrestuar në Itali për trafik droge
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka vendosur nën sekuestro preventive 18 pasuri të paluajtshme, automjete luksoze dhe llogari bankare që i përkasin biznesmenit Kristian Koni (K.K.), i njohur edhe me disa identitete të tjera, si dhe nënës së tij pensioniste.
Hetimi pasuror ka zbuluar se pasuritë e sekuestruara dyshohet të jenë përfituar nga veprimtaria kriminale e Konit, i cili rezulton i përfshirë në një rrjet të trafikut të narkotikëve në Itali gjatë viteve 2007–2012. Gjatë kësaj periudhe ai është arrestuar dhe hetuar për përfshirje në organizata të strukturuara kriminale.
Në Shqipëri, Koni njihej si biznesmen dhe përfaqësues ligjor i kompanisë së tregtimit të frutave dhe perimeve “Kriol.AL” sh.p.k.. Prokuroria ka konstatuar transaksione të shumta financiare të pajustifikuara, si dhe përdorimin e identiteteve të ndryshme për të fshehur origjinën e pasurisë.
Mes pasurive të bllokuara janë prona në zonat e Tiranës, Bathores, Farkës dhe Marikajt, si dhe dy automjete luksoze – një Range Rover dhe një Smart me targa të personalizuara. Gjithashtu, janë ngrirë edhe disa llogari bankare në emër të Konit, nënës së tij dhe subjektit juridik të përfaqësuar prej tij.
Masa e sekuestros ka si qëllim:
- Parandalimin e përdorimit të pasurive për qëllime kriminale;
- Sigurimin e ekzekutimit të mundshëm të vendimeve gjyqësore për konfiskimin e tyre.
Prokuroria e Tiranës thekson se hetimi po kryhet në përputhje me ligjin për parandalimin e pastrimit të parave, në bashkëpunim me institucionet vendase dhe ndërkombëtare. Autoritetet paralajmërojnë se hetimet do të vijojnë dhe pritet të identifikohen pasuri të tjera të lidhura me aktivitetin e dyshuar kriminal të biznesmenit.
Kompania Kriol rezulton se ka aktivitet në Shqipëri si “Importuesi dhe shitësi me shumicë i frutave, perimeve, kafesë dhe më shumë nga Tirana, Shqipëri, KRIOL.AL SHPK është partneri juaj me përvojë në tregtinë dhe importin e ushqimeve. Nga selia jonë në zemër të Tiranës, ne menaxhojmë distribuimin fleksibël të frutave të freskëta, perimeve të freskëta, kafesë më të mirë dhe shumë produkteve të tjera ushqimore sipas kërkesës, disponueshmërisë dhe standardeve më të larta të cilësisë. Ne furnizojmë tregtinë me pakicë, gastronominë dhe klientët e mëdhenj me zgjidhje të përshtatura.”
Njoftimi zyrtar i Prokurorisë
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË
Prokuroria Tiranë sekuestron 18 pasuri të paluajtshme, llogari bankare e automjete luksoze të shtetasit K.K., i arrestuar për trafik droge në Itali dhe nënës së tij pensioniste
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, sekuestroi pasuritë e shtetasit K.K. (alias O. M, K. M, Z. R, K.Z.) dhe personave të lidhur me të, që dyshohet të jenë përfituar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet veprimtarisë kriminale.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin pasuror nr.10, të datës 31.07.2025, rezultoi se ky shtetas dhe nëna e tij në pension, kanë veprimtari me origjinë kriminale që lidhet me shtetasin K.K. dhe historikun e tij të mëparshëm kriminal. Ai rezulton i përfshirë në një rrjet të strukturuar kriminal të trafikut të narkotikëve në Itali gjatë periudhës 2007–2012. Po ashtu, u dokumentua përdorimi i disa identiteteve të ndryshme, si dhe transaksione financiare të pajustifikuara në raport me të ardhurat e ligjshme të deklaruara të personave përkatës.
Sipas të dhënave të administruara nga sistemet zyrtare dhe burime të tjera ligjore, u evidentuan pasuri të shumta të paluajtshme, automjete luksoze dhe llogari bankare në emër të:
- Shtetasit K. K.
- Shtetases F.M., dhe
- Subjektit juridik “Kriol.AL” sh.p.k., me përfaqësues ligjor të njëjtin shtetas.
Në total janë vendosur masa sekuestroje preventive mbi 18 pasuri të paluajtshme, dy automjete luksoze të llojit Range Rover dhe Smart, të regjistruara me targa karakteristike, si dhe llogaritë bankare të personave fizikë dhe juridikë të përfshirë në këtë hetim. Pasuritë përfshijnë prona në zonat e Tiranës, Bathores, Farkës, Marikajt etj.
Sekuestrot janë vendosur me qëllim:
- Parandalimin e tjetërsimit ose përdorimit të këtyre pasurive për qëllime kriminale;
- Garantimin e ekzekutimit të vendimeve të mundshme gjyqësore mbi konfiskimin e tyre;
Prokuroria e Tiranes siguron opinionin publik se çdo veprim po zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin procedural penal dhe masat kundër pastrimit të parave, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet vendase dhe ndërkombëtare.
Hetimet vijojnë dhe pritet që në vijim të identifikohen edhe pasuri të tjera të lidhura me veprimtarinë kriminale.


Njoftimi Policisë
Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fortesa”.
Sekuestrohen pasuri me vlerë 26 milionë e 500 mijë euro, në pronësi të një 45-vjeçari, i dënuar për vrasje dhe për pjesëmarrje në grup kriminal për trafikim të lëndëve narkotike, nga autoritetet italiane.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave, në bashkëpunim me specialistët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në kuadër të një procedimi penal të drejtuar nga Prokuroria e Tiranës, ekzekutuan vendimin e Gjykatës së Tiranës, për sekuestrimin e pasurive në pronësi të shtetasit K. K., alias O. M., 45 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Pasuritë e sekuestruara janë konkretisht: 19 prona, 2 automjete dhe 20 llogari bankare, të regjistruara në emër të 45-vjeçarit ose të familjarëve të tij, me vlerë tregu rreth 26 milionë e 500 mijë euro.
Vijon puna për gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera që dyshohet se kanë burim nga veprimtaritë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
weblajm.com mëson se ky hetim po ndiqet nga prokurori Ndini Tavani.