SPAK merr të pandehur Erion Isain, kryebashkiakun e Ersekës – Hetime për falsifikim, shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera
SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur kryetarin e Bashkisë së Ersekës, Erion Isai, në kuadër të një hetimi penal që përfshin disa vepra të rënda penale. WebLajm.com mëson se akuza i është komunikuar një ditë më parë. Ujësjellësi Kozelit dhe Prokurimet për një aks rrugorë janë dosjet e hetuara dhe gjetura me shkelje nga SPAK.
Sipas burimeve zyrtare, Erion Isai, bashkë me 6 zyrtarë të tjerë të bashkisë dhe të ndërmarrjes së Ujësjellësit të zonës, akuzohen për falsifikim dokumentesh, shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, në disa projekte publike që lidhen me investimet në infrastrukturë.
Në qendër të hetimeve është një tender për rindërtimin e një ure të shembur, si dhe procedura të dyshimta në projektet e Ujësjellësit, ku dyshohet se janë favorizuar subjekte të caktuara në kundërshtim me ligjin për prokurimet publike.
SPAK ka mbledhur prova që ngrenë dyshime të forta se dokumentet e tenderëve janë manipuluar me qëllim përfitimi të paligjshëm, ndërkohë që buxheti i bashkisë mund të jetë dëmtuar në mënyrë të konsiderueshme. Hetimet janë zgjeruar dhe përfshijnë gjithashtu bashkëpunëtorë të afërt të Isait në administratën vendore.
Erion Isai, një figurë e njohur publike, është në krye të Bashkisë Ersekë që prej vitit 2019 dhe ka qenë më parë aktiv në fushën e artit dhe humorit. Deri më tani, ai nuk ka reaguar publikisht lidhur me akuzat, ndërsa SPAK pritet të bëjë publike më shumë detaje në ditët në vijim.
Hetimet janë në fazën përfundimtare dhe çështja pritet të kalojë për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ky hetim ndiqet nga Prokurori Dritan Prençi.
Lexo më shumë
Comments 1