Antimafia italiane e Breshias dhe SPAK zbulojnë agjentin operacional në Policinë e Shtetit, pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës. Në pranga ka rënë edhe Igli Haxhiaj, aktualisht student në Akademinë e Policisë për të fituar gradën nënkomisar.

Haxhiaj dyshohet se ka dekonspiruar operacionet policore dhe ka informuar grupin e narkotrafikut me të dhëna sekrete. Ai, nga sektori i operacionales, ka kaluar në njësinë e antiterrorit, por aktualisht nuk është në detyrë, pasi ka kërkuar shkëputjen për të ndjekur studimet.
Sipas hetuesve, grupi – me bazë operative në Shqipëri dhe me degë në Itali – importonte kokainë nga Amerika e Jugut duke shfrytëzuar rrugët tregtare të destinuara për portet e mëdha të Evropës Veriore. Më pas, droga transportohej drejt Italisë me kamionë, e fshehur brenda mjeteve të rënda. Flitet për mbi 1.300 kilogramë kokainë të transportuar, e cila shpërndahej në gjashtë baza logjistike në territorin italian, që shërbenin si qendra magazinimi dhe shpërndarjeje.
Nga këto struktura administrohej jo vetëm droga, por edhe qarkullimi i parave. Të ardhurat nga shitjet ktheheshin te drejtuesit e organizatës përmes “korrierëve të parave”, shoferë autobusësh të linjave Itali–Shqipëri, të cilët transportonin sasi të mëdha parash në mënyrë të fshehtë.
Gjatë hetimeve, autoritetet kanë arrestuar në flagrancë 10 anëtarë të grupit dhe kanë sekuestruar 550 mijë euro në para të gatshme, 10 automjete, një pistoletë dhe 130 kilogramë drogë – kokainë dhe heroinë – që në treg do të kishin gjeneruar rreth 12 milionë euro. Po kryhen mbi 35 kontrolle në gjithë Italinë, të mbështetura nga njësitë me qen antidrogë dhe “cash dog”, nga pajisjet teknologjike të S.C.I.C.O.-s dhe trupat e specializuara ATPI, të dedikuara për operacione me rrezik të lartë.
Ky hetim o kordinua edhe me skuadrën Interforzë që operon në Shqipëri dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.



































































































