Një turist Gjerman është në gjendje kritike për jetën pasi Gomonia e drejtuar nga 27 vjeçari Krenar Velaj i ka prërë gjymtyrët në det.
27 vjeçari drejtues i gomonës është arrestuar ndërsa hetimet paraprake sipas policisë tregojnë se ai ka leje drejtimi dhe po udhëtonte jashtë perimetrit të sigurisë.
Kjo ngjarje e rëndë rikthen në pah sigurinë e ulët në përdorimin e mjeteve lundruese në bregdetin shqitpar.
Në gusht të tre viteve më parë bregdeti Jon në Potam Himarë u përgjak pasi gomonia i mori jetën të miturës 7 vjeç Jonalda Avdia. Ajo ishte në breg duke luajtur tek shezlonget teksa gomonia e dalë jashtë kontrollit e kaloi sipër duke e coptuar.
Shkak i aksidentit ishte humbja e kontrollit të mjetit nga një ish efektiv policia i arrestuar dhe dënuar nga drejtësia.
Himarë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 13:40, në plazhin e Gjipesë, dyshohet se shtetasi K. V., 27 vjeç, banues në Orikum, duke drejtuar një mjet lundrues gomone me dokumentacion të rregullt, jashtë zonës së sigurisë dhe në një distancë të konsiderueshme nga tapat që kufizojnë zonën e notimit, ka dëmtuar, gjatë kohës që ishte duke bërë zhytje në afërsi të mjetit lundrues, shtetasin D. S., 46 vjeç, banues në Gjermani.Shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Dhërmi, menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë ndërhyrë duke i dhënë ndihmën e parë të dëmtuarit dhe më pas kanë organizuar transportimin e tij të menjëhershëm drejt spitalit, për ndihmë mjekësore.Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit lundrues, shtetasit K. V., në Stacionin e Policisë Dhërmi, si dhe të personave të tjerë që kanë qenë dëshmitarë në këtë ngjarje.Vijon puna e grupit hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Pa u mbushur 24 orë nga aksidenti i rëndë në detin Jon, në Adriatik është shënuar një tjetër aksident fatal. Një shtetas Belg turist është dëmtuar me një motorr uji.
Durrës / Informacion paraprak
Rreth orës 20:00, shërbimi i Urgjencës së Spitalit të Durrësit ka njoftuar se ka shkuar për ndihmë mjekësore shtetasi belg H. K., 21 vjeç.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në spital dhe nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se në zonën e Shkëmbit të Kavajës, pranë bregdetit, ky shtetas dyshohet se gjatë manovrave ka humbur kontrollin mbi një mjet lundrues (Jet Ski) dhe ka rënë në ujë.
Si pasojë, ai ka pësuar dëmtime të rënda dhe nga Spitali Rajonal i Durrësit është transportuar menjëherë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Policia ka shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale pronarin e mjetit lundrues, shtetasin S. Xh.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.