Spak kërkoi dënimin e tij për fshehje e deklarim të rremë pasurie, ish gjyqtari i lartë Shkëlzen Selimi fiton pafajsinë në gjykatë.
Pas një beteje ligjore që zgjati për më shumë se tre vite Selimi mundi të bind gjykatën duke fituar pafajsinë. Ndërsa pas largimit nga posti i gjyqtarit z.Selimi ushtron profesionin e avokatit.
Vednimi GJKKO
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Shkëlzen Selimi, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a/2 të K.Penal.”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, me vendimin Nr. 48, datë 07.07.2025 vendosi:
1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Shkëlzen K. Selimi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, pg 2 i Kodit Penal, në referim të nenit 388, pika 1, shkronja a) të Kodit të Procedurës Penale, pasi fakti penal objekt akuze nuk provohet se ekziston si i tillë.
2. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit për evidentimin e shpenzimeve të hetimit, dhe ato gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës për evidentimin e shpenzimeve gjyqësore, në referim të nenit 393 të K.Pr.Penale, mbeten siç janë kryer.
3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.