SPAK ka vijuar sot hetimet në lidhje me procedimin penal që lidhet me hakerimin e e-maileve të disa prokurorëve të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas burimeve zyrtare, gjatë ditës së sotme është marrë në pyetje shtetasi Agim Ismaili, në prani të avokatit të tij mbrojtës. Ai po hetohet për veprat penale të parashikuara nga:
- Neni 293/a (paragrafi i dytë) – Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike
- Neni 333/a – Grupi i strukturuar kriminal
- Neni 334 – Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal
Ky veprim hetimor vjen pas arrestimeve të mëparshme të Zambak Gjonit dhe Arnold Rrokajt, të cilët dyshohet se janë përfshirë në ndërhyrjen dhe shpërndarjen e paligjshme të të dhënave të përfituara nga adresat elektronike të disa prokurorëve të SPAK.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se më herët, në kuadër të të njëjtit hetim, është marrë në pyetje edhe Dritan Pjetërnikaj, një zyrtar publik që ka mbajtur funksione si sekretar i përgjithshëm në disa ministri. Pjetërnikaj, i cili në rrugë familjare rezulton nip i Agim Ismailit, është thirrur për të dhënë sqarime mbi lidhjet e mundshme me personat nën hetim dhe komunikimet e tyre.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në aktivitetin kibernetik, ndërsa SPAK pritet të ndërmarrë veprime të tjera procedurale në ditët në vijim.

















































































































